Vlorë – Persona ende të paidentifikuar, në rrethana të panjohura, grabitën të hënën njërin prej filialeve të Bankës BKT, në qytetin e Vlorës.
Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, mësohet se gjatë grabitjes janë përdorur armë zjarri.
Policia e qytetit bregdetar ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërsa ka nisur hetimet për zbardhjen e grabitjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, duke mos bërë të ditur detaje rreth ngjarjes.
Policia e Vlorës ka saktësuar rrethanat e grabitjes së filialit të Bankës Kombëtare Tregtare.
Në një komunikatë zyrtare të Policisë lokale mësohet se “në orën 11.46, tre persona të armatosur me armë zjarri dhe të maskuar kanë grabitur filialin e Bankës Kombëtare Tregtare, që ndodhet në Sheshin e Flamurit, nga ku kanë arritur të marrin një sasi të vogël lekësh”.
Sipas Policisë, mësohet se grabitësit u larguan në drejtim të hyrjes së qytetit bregdetar, me një automjet tip Mercedes-Benz, pa targa, me ngjyrë vishnje.
Në deklaratën e Policisë thuhet gjithashtu se “në vendin e quajtur “Rruga e Re”, përpara një prej filialeve të “Raifeissen Bank”, të detyruar nga ndjekja e uniformave blu, autorët e grabitjes kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në drejtim të kodrave të qytetit.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që janë duke u pyetur të gjithë dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes.
Monday, 15 August 2011 14:32