Lajme Shqip Sunday, 09 October 2011 19:02

Vlorë – Policia e Vlorës, bllokoi sot një sasi prej 33.5 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, ndërkohë që arrestoi në kushtet e flagrancës 5 persona të cilët dyshohet të jenë implikuar në trafikimin e saj.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se “operacioni i koduar “Mëngjesi”, nisur rreth 1 muaj më parë, nëpërmjet metodave speciale të hetimit të krimit, është finalizuar sot me bllokimin e lëndës narkotike në vendin e quajtur Ura e Drashovicës, 15 km në lindje të Vlorës dhe arrestimin në flagrancë të pesë shtetasve”.

Sipas policisë në pranga kanë rënë Selman  Bitaj, 33 vjeç, Ardian Braka, 41 vjeç, Agim Soraj, 55 vjeç, Salushe Hoxha, 25 vjeçe, Musa Bedinaj, 39 vjeç, të gjithë nga  Vlora, të cilët po e transportonin lëndën narkotike nga fshati Kotë në drejtim të qytetit, ku do ta shpërndanin në sasi të vogla kundrejt përfitimeve financiare.

Në cilësinë e provës materiale janë kapur dhe sekuestruar, 33.5 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, një shumë të hollash prej 4800 euro dhe 1 milion e 920 mijë lekë, 8 aparate celularë, si dhe 3 automjete të cilat po përdoreshin për transportimin e lëndës narkotike.