Lajme Shqip Monday, 10 October 2011 19:05

Tiranë – Forcimi i euros në përgjithësi është një kosto për ekonominë shqiptare. Shqipëria është një vend me bilanc tregtar dhe korrent deficitar, ndaj vlerësimi i euros apo dollarit rrit barrën e financimit të importeve.

Çmimi i valutave të huaja është një peshë edhe për huamarrjen, sepse afro 70% e kredisë së sektorit privat dhe 43% e huamarrjes së Qeverisë janë në valutë të huaj. Por, gjatë vitit të kaluar, forcimi i euros ka sjellë edhe disa ndikime pozitive, apo të paktën kufizuese në stokun e borxhit të jashtëm.

Forcimi i euros ka bërë që valuta në rezervat e Bankës Qendrore, e konvertuar në lekë të fitojë një vlerë më të lartë dhe, sipas teknikave kontabile, kjo shumë i zbritet stokut të borxhit të jashtëm. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e buxhetit 2010, stoku i borxhit të jashtëm të Shqipërisë është ulur me afro 19 miliardë lekë, falë rritjes së vlerës së valutës që zotëron Banka e Shqipërisë.

Pa llogaritur vlerën e rezervës valutore, kursi i këmbimit ka pasur një ndikim negativ në stokun e borxhit të jashtëm të vendit. Në fund të vitit 2010, kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë e kuotonte euron në vlerën e 138.8 lekëve, 0.8 pikë më shumë se një vit më parë.

I konvertuar, borxhi i jashtëm i Shqipërisë në fund të vitit 2010 ishte 308 miliardë lekë, me një rritje vjetore 15.2%, ose afro 41 miliardë lekë. Nga këto, 1.8 miliardë lekë ose 4.4% i detyrohen rritjes së vlerës së euros. (LajmeShqip.com)