Lajme Shqip Wednesday, 26 August 2015 16:31

Me marrëveshjet e nënshkruara midis Prishtinës dhe Beogradit, Bashkimi Evropian mund të hapë kapitujt e parë për anëtarësimin e Serbisë në bllok, ka thënë ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurtz.

Duke folur për mediet serbe, Kurtz ka thënë se marrëveshjet janë të një rëndësie të madhe.

“Ato kanë qenë të domosdoshme për afrim me BE-në dhe i sjellin stabilitet gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurtz.

Të martën në Bruksel, kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për telekomunikimin, energjinë dhe lirinë e lëvizjes.

Të gjitha këto në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.