Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 15:15

Tiranë – Komedia “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka” e regjisorit Kiço Londo, pas premierës në Teatrin “Bylis” të Fierit, do të udhëtojë drejt Tiranës për t’u shfaqur këtë të premte dhe të shtunë në sallën e Universitetit të Arteve.

Ministra të korruptuar, inspektorë që kërkojnë ryshfete, vajza të reja në kërkim të pushtetit dhe rrugëve për t’u bërë të famshme, të gjitha këto krijojnë situata komike në veprën që do të interpretohet nga Luftar Paja, Arqile Lipe, Fatmir Xhelili, Mimoza Marjanaku, Doriana Çaushaj, Gerta Metaj e Brikena Sinanaj.

Në veprën e Michael Pertwee, aty ku ndërthuren hartues të ligjit dhe opozitarë të tij, intrigantë dhe servilë, gjithçka kulmon me plane qesharake, në panik dhe kundër-plane ku të gjithë kërkojnë të shpëtojnë karrierat e tyre dhe fshehin të vërtetën.

Një ministër i qeverisë britanike, William Braun, harton një ligj për të luftuar pisllëqet në Mbretërinë e Bashkuar, por kjo nuk e ndalon atë të ketë një lidhje dashurie me sekretaren e tij Parkin dhe Wendin, gruan e një gazetari të njohur. Kundërshtarë të ligjit, kryesisht disa vajza hippy, të kryesuara nga Johny, rrëmbejnë mikun e ngushtë të Ministrit, bashkë-autor të ligjit, Barry Ovis, ndërkohë që ai po martohej me të fejuarën e tij, Joan.

Pas një sinjali nga Johny, policia sulmon apartamentin e hippy-ve. Qëllimi ishte për të diskredituar Barry Ovis, duke e bërë që të dukej se ai ishte i përfshirë në një orgji, dhe si rezultat duke i hequr çdo lloj kredibiliteti që mund të kishte.

Por, Ovis arratiset dhe fshihet në apartamentin e William, ku gjen atë larg nga mosshthurrja morale e tij. Planet e Sir William për një mbrëmje me Wendin shkojnë keq, ndërkohë që apartamenti i tij mbushet me anëtarë të opozitës, inspektorë policie dhe gra të bukura, poshtë dhe sipër krevatit.

Shfaqja, një bashkëpunim i Teatrit Shëtitës dhe “Bylis” ka startuar kështu turin në qytetet e Shqipërisë, ku pas Tiranës, komedia do të shfaqet edhe në Vlorë. Premiera e komedisë u shfaq në 22 mars, për të vazhduar deri në javën e parë të muajit prill në Teatrin “Bylis”, Fier.