Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 16:00

Tiranë – “Mbështesim plotësisht integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, por jemi mjaft të shqetësuar sa i takon përjashtimit shoqëror që po i bëhet Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK)”,  theksoi mesditën e të enjtes Sinan Tafaj, Presidenti i Këshilli Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar (KKAK), gjatë një proteste me karakter sensibilizues të organizuar sot në sheshin përpara Parlamentit Shqiptar.

Me anë të kësaj proteste, tha Tafaj, “dëshirojmë të ritheksojmë se është përgjegjësi e politikës dhe institucioneve të prodhuara prej saj, që të kuptojnë se integrimi ynë fillon në Shqipëri dhe jo në Bruksel”.

Rekomandimi nr. 11 i BE-së, që bën fjalë për përmirësimin e të drejtave themelore të grupeve vulnerabël, vazhdon të jetë ende i pashqyrtuar, madje nënvizoi Tafaj, hapat që janë bërë në vitet e fundit kanë qenë regresive.

Duke i konsideruar ligjet ekzistuese si një arritje e madhe e shoqërisë shqiptare, pa të cilat njerëzit në nevojë do të ishin të kërcënuar edhe për mbijetesën e tyre ekonomike, Tafaj ngriti si problem faktin se “regresi i shënuar në vitet e fundit në mohimin e të drejtave të fituara nga KAP, kanë thelluar edhe po e thellojnë dita ditës përjashtimin shoqëror edhe po rrisin barrierat e veçimit të këtij grupi”. (LajmeShqip.com)