Lajme Shqip Saturday, 14 January 2012 09:30

Korçë – Dy inspektorë të kontrollit të automjeteve, në pikën e Kolaudimit në qytetin e Korçës, u ndaluan mbasditen e së premtes nga Policia lokale, teksa tentonin të merrnin një sasi lekësh në formë rryshfeti nga një shtetas, në këmbim të kalimit të automjetit të këtij të fundit si të rregullt, i cili më parë, për shkak të defekteve teknike, kishte ngelur në sistemin e kontrollit.

Burime zyrtare nga Policia e Korçës bënë të ditur se Anesti Themeli dhe Jorgo Dimka, përkatësisht 62 dhe 42 vjeç, inspektorë të  Kontrollit të Automjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në qytetin juglindor, akuzohen se duke abuzuar me detyrën, bënin kalimin e automjeteve që nuk plotësonin kushtet teknike në sistemin e kontrollit.

Nga të njëjtat burime mësohet se në gjendje të lirë do të ndiqet edhe inspektori tjetër pranë kësaj dege,  38 vjeçari Taulant Eshi.

Në cilesinë e provës materiale, Policia sekuestroi sasinë e lekëve të përfituara nga rryshfeti, printime nga sistemi i kontrollit që dokumentonin se automjeti ishte me defekte teknike, si dhe printime nga sistemi i Kontrollit për të njëjtin automjet, por pa difekte teknike.