Lajme Shqip Friday, 27 January 2012 19:37

Prishtinë (PLOTESUAR, 28 JANAR 10:40) Zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, zhvilloi dje një bisedë përmes videolidhjes me ndërmjetësin evropian, Robert Cooper, në kuadër të përgatitjeve për raundin e ardhshëm të dialogut teknik.

Zyra e shtypit e qeverisë kosovare njoftoi se, temat kryesore të bisedës ishin çështja e bashkëpunimit rajonal, situata në zbatimin e marrëveshjeve si dhe procesi i finalizimit të protokollit teknik të marrëveshjes së IBM-it.

Zv/kryeministrja Tahiri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për progresin e dialogut teknik si një mundësi e mirë për t’i zgjidhur çështjet praktike mes dy shteteve në interes të qytetarëve dhe integrimeve evropiane e euroatlantike.

Lidhur me çështjen e bashkëpunimit rajonal, Tahiri theksoi se Kosova duhet të marrë pjesë si shtet i pavarur dhe sovran, me simbolet e saja shtetërore dhe të jetë nënshkruese e marrëveshjeve rajonale, si dhe hodhi poshtë propozimet e Serbisë për çfarëdo referencash që nuk përkojnë me realitetin, duke thënë se Rezoluta 1244 është e tejkaluar juridikisht dhe politikisht.

Kryenegociatorja Tahiri kërkoi që sa më shpejt të përgatitet Protokolli i detajizuar teknik i IBM-it dhe të nënshkruhet jo më larg se deri më 10 shkurt, në mënyrë që të fillojë menjëherë zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërshtetëror mes dy vendeve.

Cooper nga ana e tij premtoi angazhim për të përafruar qëndrimet e palëve për çështjen e bashkëpunimin rajonal, të cilat tani për tani janë shumë larg njëra tjetrës. Ai po ashtu premtoi angazhimin e tij për të përshpejtuar procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani.

**************************

Prishtinë– Ndërmjetësuesi i BE-së në dialogun Beograd-Prishtinë Robert Kuper bisedoi përmes lidhjes video konferenciale me shefen e ekipit negociator të Prishtinës, Edita Tahiri, kumtoi televizioni kombëtar serb RTS.

Sipas mediave kosovare, vizita e planifikuar për dje e Kuperit në Prishtinë nuk është anuluar vetëm për shkak kushteve të këqija klimaterike, por shkaku kryesor ka qenë që në takimin midis Kuperit dhe kryenegociatorit serb Borisllav Stefanoviq të mërkurën në Beograd nuk është arritur progres për çështjen e prezantimit të Kosovës në forumet rajonale.

Në vend se në Prishtinë, Kuper dhe Tahiri kanë folur përmes video-lidhjes dhe nga rezultatet e kësaj bisede do të varet nëse javës tjetër ndërmjetësuesi i BE-së do të shkojë në Kosovë.