Tiranë – Dy ish-miqtë e vjetër tashmë kundërshtarë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, dhe deputeti Dritan Prifti, do të përballen më 26 maj në Gjykatën e Lartë për të vërtetuar pretendimet e tyre apo dhe për të mbrojtur e faktuar akuzat.
Ish zv/kryeministri Meta, me anë të përfaqësuesve të tij ligjorë, i ka kërkuar Gjykatës së Lartë pavlefshmërinë e videos së regjistruar nga ish-ministri Dritan Prifti më 10 mars 2010 në ministrinë e Ekonomisë.
Një trup gjykues i Gjykatës së Lartë e shqyrtoi kërkesën e avokatëve mbrojtës në një seancë që zgjati për më shumë se 3 orë.
Meta ka kërkuar nga Gjykata e lartë shfuqizimin e vendimit të prokurorisë së përgjithshme që ka marrë si provë videopërgjimin, duke ngritur kështu një akuzë penale ndaj tij. Avokatët e Metës kanë pretenduar me këtë kërkesë-padi se kjo video nuk mund të konsiderohet si provë, pasi ajo nuk është marrë në kushtet e kërkuara nga ligji.
Gjykata pasi dëgjoi palët, vendosi që kërkesa e avokatëve të shqyrtohet nga i njëjti trup gjykues që pritet të shqyrtojë në datë 26 maj çështjen e themelit, atë të akuzës që prokuroria ka ngritur ndaj Metës.
Do të jetë i njëjti trup gjykues që do të vendosë të pranojë ose jo kërkesën e Metës për të shfuqizuar përdorimin e videos si provë.
Nëse kjo ndodhë, automatikisht Gjykata e Lartë e nxjerrë të pa vlerë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të dhe të gjithë aktet e tjera që burojnë nga video-përgjimi.
Tuesday, 24 May 2011 13:55