Lajme Shqip Monday, 12 October 2015 12:30

Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi të hënën se pas orarit të punës, fshehurazi, Kadri Veseli mbuloi muralet me motive kombëtare që gjenden në muret e Kuvendit të Republikës, e të cilat u zbuluan nga deputetët të enjten.

Sipas VV-së, kur të gjithë po festonin fitoren e madhe të Kombëtares dhe kualifikimin për në Kampionatin evropian, Veseli, sikur UNMIK-u më herët, i mbuloi muralet që shfaqin momentet më të rëndësishme kuvendore të historisë sonë, Kuvendin e Lezhës dhe Lidhjen e Prizrenit.

“Sikur UNMIK-u, për të mos e zemëruar Beogradin zyrtar. Përmes këtij veprimi, Kadri Veseli, e shpërfaq ‘demokracinë’ e vërtetë në Kuvendin kryetar i të cilit u instalua: për ato murale asnjëherë nuk u pyetën deputetët, nëse duhet të mbulohen, madje as që u diskutua fare për to. Kokë më vete, larg syve të publikut, Veseli vendosi që Kuvendi i Republikës po u dashka të turpërohet nga historia e shqiptarëve. Prandaj Veseli, qartazi i turpëruar nga kjo histori, vendosi ta mbulojë atë”, vlerëson Vetëvendosje.

Në kohën kur ‘Zajednica’ po e kërcënon Republikën, e Qeveria po rrënon integritetin e Kuvendit, Veseli po e uzurpon vendimmarrjen deri edhe te dizajnimi estetik i hollit të Kuvendit.

“Natyrisht që vendimmarrja për procese shtet-rrënuese, të cilat e përjashtojnë popullin nga politika, e shoqërinë nga mirëqenia, reduktohet vetëm në institucione, e brenda tyre në shumë pak njerëz. Kur projekti është antidemokratik, procedura nuk mund të jetë demokratike. Kadri Veseli ka bërë çmos për ta përmirësuar imazhin e tij. Trashëgiminë e Shefit të ShIK-ut është munduar ta shpërlajë me paraqitjen e tij prej një Kryetari jashtëzakonisht të kujdesshëm të Kuvendit. Por ky është vetëm imazhi i Veselit. Veseli i vërtetë mbetet ai i ShIK-ut, Shefi i punëve të fshehta, ai i vendimeve dhe veprimeve sekrete”, thuhet në reagimin e VV-së.