Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 14:28

Prishtinë – Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje realizuan sot një aksion simbolik në hyrjen e Radio Televizionit Publik të Kosovës, ku vendosën një pano me mbishkrimin RTK=PDK.

Aktivisti Frashër Krasniqi tha se RTK paguhet nga qytetarët e Kosovës dhe nuk u shërben atyre.

“Puna që kryen RTK është larg nga funksioni i sofistikuar propagandistik. Aq shumë janë afër e të njësuar me pushtetin redaktorët e saj, sa nuk arrijnë dot as të manipulojnë përmes gjysmë të vërtetave, as të krijojnë ndonjë imagjinare të rremë mbi realitetin. Ata janë vetë pushteti. Me lajmet e saj, renditjen e tyre, me transmetimet direkte të partisë, PDK-ja, pardon RTK-ja po ia çjerrë maskën vetvetes”, citon indeksonline Krasniqin.

Sipas aktivistëve të VV-së interesat e RTK-së që nga themelimi ka ndryshuar duke u përshtatur interesave të pushtetit.

“Me të ndryshuar raportet e pushtetit, ndryshojnë edhe interesat, e me të ndryshuar interesat, ndryshojnë edhe njerëzit që do t’i shërbejnë interesave dhe axhendës së re. Stërkeqja e RTK-së është në përputhje të plotë me degradimin e Kosovës nga pushteti i PDK-së. Sa më shtypës dhe i padrejtë është pushteti, më shumë dezinformim e propagandë shpifëse bën RTK-ja. Sa më në rrezik që është PDK-ja aq më shumë kjo parti uzurpon hapësirë mediale në RTK”, theksoi Krasniqi.(K.N/LajmeShqip.com)