Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 17:57

Prishtine – Organizata e Veteranëve të luftës së UCK-së, heqjen e lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Preshevë, e konsiderojmë si vazhdimësi të politikës serbe të presionit që shqiptarët të lëshojnë trojet e veta.

Heqjen e lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Preshevë, e konsiderojmë si vazhdimësi të politikës serbe të presionit që shqiptarët të lëshojnë trojet e veta. Ky akt është vazhdimësi e politikave qubrilloviqiane për spastrimin etnik të trojeve shqiptare. Nuk jemi aspak të befasuar nga ky akt përderisa shqiptarët jetojnë nën tutelën e Beogradit, të drejtat dhe liria e tyre gjithnjë do të shkelen me dhunë dhe me forcë.

Ky akt barbar tregon domosdoshmërinë e angazhimit institucional të Tiranës dhe Prishtinës, mobilizimin e tyre me të gjitha mjetet e mundshme diplomatike, që çështja e trojeve shqiptare të okupuara, të gjej zgjidhje të përhershme në përputhje me vullnetin e popullatës. Njëkohësisht ju bëjmë thirrje edhe faktorit politik në trojet shqiptare që të jenë unik për zgjidhjen e çështjes shqiptare, sepse interesi i përgjithshëm kombëtar është mbi të gjitha.

Ne iu bëjmë thirrje të gjithë veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe popullit shqiptar në përgjithësi, që në këto momente të jenë të bashkuar dhe të kujdesshëm në veprimet e tyre. Jemi duke i përcjellur me vëmendje zhvillimet në Kosovën Lindore dhe do të veprojmë në përputhje me situatën e krijuar atje. Popullata shqiptare në Kosovën Lindore do të ketë mbështetjen tonë pa asnjë hezitim me të gjitha mënyrat.(LajmeShqip.com)