Tiranë- Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të biznesit (QKR) në 3 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 4006 biznese të reja, një pjesë e të cilave nga emigrantë të kthyer në atdhe nga kriza ekonomike në Greqi.
Burime zyrtare të QKR-së thanë sot për ATSH se, ecuria flet për trend pozitiv të regjistrimeve të bizneseve të reja këtë vit, ndërsa vlerësojnë pozitiv edhe uljen e çregjistrimeve, të cilat rezultuan në këtë periudhë me 62% më pak.
“Në muajin janar u regjistruan 1.219 regjistrime, në shkurt 1.731 dhe në mars 1.036 me një total prej 4006 biznese të reja të regjistruara”, thanë burimet e QKR-së.
Edhe çregjistrimet shënojnë përmirësim, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sivjet janë çregjistruar 540 biznese, nga 1418 në 3-mujorin e parë 2011.
Sistemi i ri regjistrimit i instaluar pranë QKR-së arrin të koordinojë saktë të dhënat, u jep mundësi subjekteve të interesuar të informohen në kohë reale për statusin e aplikimit të tyre dhe bizneset e reja të regjistrohen brenda 24 orëve kundrejt një pagese vetëm 100 lekë.
Krijimi i QKR-së solli përfitime të rëndësishme për bizneset shqiptare dhe investitorët e huaj për procese më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më pak të kushtueshëm për regjistrimin e një biznesi të ri. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 April 2012 09:49