Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 13:53

Organizimin e të tilla aktiviteteve e shikon si një mundësi mjaft të mirë për zhvillimin e turizimit Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Stefano Bergesio, i cili shprehet se kjo traditë është një mundësi për tërheqjen e vizitorëve.

Në hyrje të kantinës Çobo, Concetta Marota, bashkëshortja e Muharrem Çobo, pronar i kantinës, ndihet edhe më shumë shqiptare kur e veshur me kostum tradicional i ofron verë qindra të ftuarve në festë. Ndërsa, dy vëllezërit Muharrem dhe Petrit Çobo mirëpresin vizitorët drejt kantinës, ku gjithçka është modeluar me kujdes dhe shije si për një festë vere. Mbrëmja ka nisur të bjerë dhe pamja që ofrohet duket dhe më e bukur nën tingujt e muzikës.

Vajza dhe djem të veshur me kostume popullore i drejtohen vreshtave për vjeljen e rrushit, ku këtë vit prodhimi është tepër i mbarë. Qindra të ftuar ndjekin procesin e vjeljes së rrushit, ndërkohë që shërbehen djathëra të shijshëm të zonës, ullinj berati, kulaç përgatitur nga zonjat e shtëpisë, pasi gjithçka që shërbehet në këtë mbrëmje është pjesë e traditës. Pas vjeljes së rrushit, nis procesi i shtypjes, ku në qendër të kantinës është vendosur një fuçi e madhe vere. Edhe këtë vit këngëtarja Mariza Ikonomi shoqëroi me interpretimin e këngëve të saj.

Ministra, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë, artistë, gazetar dhe prodhues vere nga Shqipëria, Kosova e më gjerë, pjesë e kësaj feste, shijojnë nën tingujt e muzikës orë të tëra nën shoqërinë e kryefjalës, që është vera. Pjesëmarrës në këtë festë Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, u shpreh se tashmë vendi ynë ka filluar të prodhojë verë elitare dhe padyshim një prej tyre është vera “Çobo”.

 “Ne kemi filluar të konsolidojmë vlerat sepse traditën e prodhimit të verës e kemi pasur me kohë, por tashmë po konsolidojmë prodhimet tona. Kantina Çobo është e njohur për prodhimet e saj dhe ne tashmë kemi filluar të prodhojmë verë elitare, tha Panariti.”

Organizimin e të tilla aktiviteteve e shikon si një mundësi mjaft të mirë për zhvillimin e turizimit Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Stefano Bergesio, i cili shprehet se kjo traditë është një mundësi për tërheqjen e vizitorëve.

“Është hera e parë për mua që vijë në këtë festë dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu. Më bëhet qejfi sepse kultura e verës është e pranishme dhe në Shqipëri. Mendojë se kjo traditë përbën një urë lidhëse mes Italisë dhe Shqipërisë, tha ai. Pak më parë bëra një takim me kryetarin e bashkisë së Beratit dhe ai më konfirmoi një shtim të numrit të vizitorëve dhe siç dhe shihet ka një shtim të numrit të vizitorëve në të gjithë Shqipërinë. Shumë turistë italian kanë qënë këtë vit në Shqipëri dhe një traditë e tillë si tradita e verës për mua është një mundësi për tërheqjen e turistëve, u shpreh Bergesio.”

Petrit Çobo, pronar i kantinës, thotë se “për fat të mirë kemi një prodhim të mrekullueshëm këtë vit, një rrush shumë shumë të mirë. Ky është një prodhim rrushi, vera e të cilit do të konsumohet pas dy apo tre vitesh, por që prodhimi është i mbarë dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë” pohon Çobo.

Kërcime nën tingujt e muzikës, argëtim në shoqërinë e njeri-tjetrit dhe shijim i verës, kjo qenë atmosfera që ka mbizotëruar deri ku agimi i parë ka zbritur mbi kantinën Çobo. /kultplus/