Tiranë – Vepra e Ismail Kadaresë nuk ka ndonjë përfaqësim të denjë në gjuhën italiane. Pak prej korpusit Kadare është shkuar në këtë gjuhë. Për studiuesit me sa duket situata paraqitet ndryshe, aq sa mund të organizojnë një konferencë shkencore që kanë për qëllim të shprehin disa përfundime nga refleksionet mbi veprën e shkrimtarit shqiptar.
“Refleksion mbi veprën e Ismail Kadare” është konferenca ndërkombëtare mbi studimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në ditët e sotme, organizuar nga Departamenti i Studimeve Gjuhësore dhe Kulturore të Krahasuara i Universiteti Ca` Foscari të Venecias. Kjo nismë lidhet me aktivitetet e zhvilluara në 2006 dhe në 2009, të cilat u finalizuan me botimin e dy vëllimeve “Të lexosh Kadarenë” dhe “Kadareja Europian”.
Organizatorët, siç citon “Shekulli”, thonë se nëpërmjet monitorimit të kulturës shqiptare në ditët e sotme, stafi i bashkëpuntorëve pasurohet nga punimet e studiuesve nga universitetet italiane dhe të huaja, me qëllim që të tërhiqet vëmendja mbi pasurinë e kujtesës dhe ideve të lidhura më Shqipërinë dhe shqiptarët në Itali dhe Europë.
Në konferencën njëditore referojnë Alessandro Scarsella “Kadare nga pikëpamja krahasuese”, Lucia Nadin “Rizbulimi i historisë shqiptare”, Ariane Eissen “Vlerësimi i Ismail Kaderesë në Francë në vitet 70`”, Giovanni Belluscio “Frymëzimet djaloshare” i Kadaresë në rrëfimin e parë poetik (1954), Paolo Muner “Një pyetje për Ismail Kadarenë: Për kë ka vdekur Ushtria e Gjeneralit”, Stefano Trovato “Universalizmi shpirtëror dhe nacionalizma në letërsinë Italiane dhe Shqiptare”, Gianpiero Ariola “Hiri dhe gjaku dhe fara e tragjedisë. Gjurmë kadarejane në një film të Fanny Ardant”. Dhe i vetmi nga Shqipëria, Andi Tepelena. Tema e tij është “Kadare dhe tema e identitetit në art”.
Thursday, 05 May 2011 12:07