Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 00:42

Tiranë– Sali Berisha ka dal nga shtëpi e Ilir Metës në orën 22 40 minuta.

Ai ka përshëndetur me dorë nga kamerat që ruanin në distancë hyrjen e portës së Ilir Metës i cili ka një hyrje speciale në pallatin që ka bërë tri kate shtesë.

Berisha hyri në shtëpinë e Metës rreth tre orë më parë. Takimi vjen në kohën kur drejtësia shqiptare, pritet të jap gjykimin e saj për pretencën e prokurorisë që kërkon dy vjet burg për Ilir Metën.

Berisha ka mbrojtur një natë më parë me shumë vendosmëri Ilir Metën duke sulmuar prokurorinë dhe duke lavdëruar Gjykatën e Lar. Darka e tij në shtëpinë e ilir Metës është e pazakontë dhe e para që Berisha ha me një vartës të tij në gjithë karrierën e tij 20 vjeçare si politikan.

 Garda shoqëron gazetarin Luis Tanushi dhe i fshin fotot

21:00 Garda e Republikës ka ndaluar dhe shoqëruar në polici gazetarin e gazetes  “Shekulli”-t, Luis Tanushi, pasi tentoi të fotografonte jashtë vilës së Ilir Metës një takim të këtij të fundit me kryeministrin Sali Berisha.
Gazetari i “Shekulli”-t u shoqërua nga Garda pavarësisht se ishte në krye të detyrës dhe nuk kishte cenuar sigurinë e kryeministrit dhe ish-kryeministrit, pasi ndodhej jashtë rrethimit.
Gazetari Tanushi u dërgua për në komisariatin nr.2 të kryeqytetit dhe u lirua vetëm pasi iu fshinë fotot që vërtetonin takimin Meta-Berisha.

Berisha mbërrin në shtëpinë e Ilir Metës…

Ora 19:00 Pasi kishte rënë mbrëmja, eskorta e Sali Berishës mbërriti në bllok, duke ‘pushtuar’ një nga rrugët më të frekuentuara. Makinat parkuan përballë shtëpisë së ish-kryeministrit Ilir Meta dhe Berisha u fut brenda.

Të hënën, pas tre ditësh, Gjykata e Lartë do të japë vendimin për Ilir Metën, i akuzuar për korrupsion. Si parapritë e kësaj vizite shërbeu një intervistë e kryeministrit Sali Berisha në një nga ekranet , prej nga deklaroi se Meta mund të rikthehej në qeveri. Gjatë kësaj interviste në ABC News, Berisha pas lëshoi një seri akuzash ndaj prokurorisë, foli për videon duke thënë se është montuar e ngjitur 28 herë. 

“Vendimi i drejtësisë është vendim drejtësie dhe pa diskutim që do të respektohet. Meta gjersa të jepet vendimi është i pafajshëm, ky është prezumimi i pafajësisë. Meta ka deklaruar se do ta respektojë plotësisht vendimin dhe ka besim të plotë në gjykimin objektiv. A do të jetë Meta pas vendimit të Gjykatës në qeveri apo jo, kjo është çështje e LSI-së dhe jo çështje imja. Është çështje e asaj partie aleate që unë bashkëqeveris”, deklaroi Berisha për ABC News.

“Mendoj se lideri i partisë së koalicionit ka dhënë një shembull të shkëlqyer. Iu nënshtrua një procesi mbi bazën e një dokumenti të prerë dhe ngjitur 28 herë. Dha dorëheqjen, shkoi para prokurorëve si qytetari Ilir Meta. Ekzistonin disa variante, por kërkoi më thelbësoren, që të gjykohej në thelb për këtë çështje. Paraqitja ishte ndryshe. Ishte Meta ai që i kërkoi Gjykatës që të ndryshojë spektrin ose lëndën e gjykimit. Ishte për çështje materie, Gjykata e pranoi dhe u tregua e përgjegjshme. Meta i është përgjigjur në mënyrën më të civilizuar kërkesës së Gjykatës së Lartë, i ka shprehur besimin asaj dhe nuk ka pasur asnjë paragjykim. Ka pasur probleme të drejta me Prokurorinë, e cila ka mashtruar Parlamentin me dokument, por ky është kapitull tjetër. Pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë keqardhje nga heqja e imunitetit të Metës, sepse të dhënat e mëvonshme kanë faktuar katërcipërisht se Parlamenti është mashtruar, nuk iu tha e vërteta për ato çështje. Por kjo s’ka rëndësi. Është Drejtësia që e nxori këtë problem. Këtu mendoj se qëndrimi i Metës i bën nder atij si politikan. Pranimi i Gjykatës për ta shqyrtuar në materie çështjen, i bën nder shtetit ligjor, i bën nder integritetit të saj,” vijoi më tej Berisha.