Lajme Shqip Friday, 15 June 2012 09:25

Pontchateau – Ka vdekur gruaja më e vjetër në Evropë, gjashtë ditë pasi ka mbushur 114 vjet. Francezja Marie-Therese Bardet ka ndërruar jetë përpara pesë ditëve në shtëpinë e pleqve në Pontchateau, në perëndim të Francës. Të shtunën që shkoi, kur ajo festoi ditëlindjen e saj të 114, asaj i kishin dhuruar 114 trëndafila.

Që nga vitet ‘90 Marie-Therese jetonte në shtëpinë e pleqve, ndërsa dy vitet e fundit ajo nuk mund të fliste më. “Mirëpo ajo hante rregullisht dy herë në ditë në restorantin e shtëpisë dhe ia kishte ënda për çokollata”, ka thënë kujdestarja e saj.

Bardet ka lënë pas vetes dy trashëgimtarë (88 dhe 90 vjeç), 7 nipër e mbesa, 15 stërnipër e stërmbesa dhe 6 stër-stërnipër e mbesa.

Ajo ishte njeriu i gjashtë në botë për nga mosha, siç bën të ditur statistika e përpiluar nga “Gerontology Research Group”, që regjistron njerëzit me moshë mbi 110 vjeçare.

Njerëzit më të moçëm se Bardet janë dy amerikanë dhe një japoneze, të cilët kanë mbushur nga 115 vjet, si dhe dy japonezë që e kanë kaluar moshën 114-vjeçare. Ndërsa në krye të listës është amerikania Besse Cooper, e cila ka lindur më 26 gusht të vitit 1896, që do të thotë se afërsisht pas dy muajsh do të mbushë 116 vjet.