Lajme Shqip Saturday, 15 June 2013 16:15

Prishtinë- Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, pas akuzave që LDK ka hedhur ndaj kësaj të fundit.

“Deklarata e Zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në emër të kësaj Ministrie, dëshmon edhe një herë degradimin total të politikës së jashtme të Kosovës. Poashtu dëshmon se Ministri Hoxhaj ka mbushur Ministrinë e tij me njerëz që nuk kanë as përgatitje profesionale e as përvojë në politikë të jashtme apo të komunikimit me publik. Zëdhënësi Behrami, në emër të MPJ-së ka deklaruar se akuzat e Vjosa Osmanit janë thashetheme. Duhet ta sqarojmë për Behramin dhe MPJ-në, se deklarata e djeshme rreth keqpërdorimeve në Ministri të Punëve të Jashtme nuk janë vetëm të Vjosa Osmanit (si deputete dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së), por janë shqetësim i shprehur nga Lidhja Demokratike e Kosovës si subjekt politik rreth abuzimeve në këtë Ministri që janë gjetur nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. MPJ ka deklaruar nëpërmjet zëdhënësit të saj se ato abuzime nuk qenkan keqpërdorime të parasë publike. Ia kujtojmë Behramit se cdo shfrytëzim i parasë publike që nuk ka mbulesë ligjore konsiderohet keqpërdorim i parasë publike sipas ligjeve në fuqi. Në cdo shtet normal, pas keqpërdorimeve të tilla jo vetëm që do të duhej të ofrohej dorëheqje e personave përgjegjës, por hetimet e instancave gjyqësore do të fillonin menjëherë. Prandaj, ne edhe njëherë i ftojmë institucionet relevante që ta hetojnë këtë Ministri”, thuhet në reagimin e LDK-së.

“ Zëdhënësi Behrami, në emër të MPJ-së poashtu ka deklaruar se deputetja Vjosa Osmani kurrë nuk është marrë me politikë të jashtme. Si duket ky zëdhënës nuk ka jetuar në Kosovë. Duhet t’ja kujtojmë zëdhënësit Behrami se Vjosa Osmani ka shërbyer pikërisht si këshilltare për politikë të jashtme e Presidentit të Republikës për pesë vite me rradhë, ka udhëhequr procesin e rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka punuar në hartimin e ligjeve të aplikueshme në fushën e politikës së jashtme, ka marrë pjesë në përzgjedhjen e ambasadorëve të parë të Republikës së Kosovës, ka qenë e angazhuar në kontakt me të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizata Ndërkombëtare, është përfaqësuese e Kuvendit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ligjëron pikërisht lëndë që kanë të bëjnë me politikën e jashtme në Universitete vendore dhe ndërkombëtare, dhe vazhdon të punojë pikërisht në këtë fushë, të cilën edhe e ka specializuar, duke udhëhequr Këshillin e Ekspertëve për Politikë të Jashtme në LDK dhe duke shërbyer në Komisionin për Integrim Evropian në Kuvend. Për dallim, Ministri Hoxhaj, asnjëherë para se të emërohej nuk është marrë me këtë fushë, ndërsa stafi i tij vjen kryesisht nga fusha e karatesë, gazetarisë, kulturës, dhe njerëz të tjerë të papërvojë në këtë fushë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur vizionin e saj për politikë të jashtme shumë herë më rradhë, por kjo Ministri nuk ka pasur kohë ta dëgjojë apo lexojë atë sepse ka qenë shumë e zënë me punësimet e shumta jashtëligjore”, thuhet më tej në reagim.

“Përfundimisht, presioni politik që Zëdhënësi Behrami në emër të MPJ-së ka bërë në drejtim të një shërbyesi civil apolitik, që është bashkëshorti i Znj. Osmani, është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Shërbimin Civil. Presionet e tilla politike ndaj të gjithë shërbyesve civil që nuk kanë hyrë në Ministri në mënyrë jashtëligjore, pa përgatitje profesionale e përvojë (sic është rasti i Zëdhënësit Behrami), dëshmon edhe njëherë se prioritet i vetëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme është politizimi i tejskajshëm i shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës i bënë thirrje edhe një herë MPJ-së që të ndalojë praktikat e tilla dhe të punojë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës si dhe në vend se të mundohet të mbulojë keqpërdorimet, të merret seriozisht me gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm”, përfundon reagimi.

Ndryshe, MPJ ka reaguar ndaj akuzave që ka bërë LDK ndaj kësaj ministrie. Zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami, ka thënë se Vjosa Osmani nuk është kompetente të flas për politikën e jashtme. Ndërkohë Behrami ia ka përmendur Osmanit edhe burrin e saj, që ka qenë i punësuar në këtë ministri, në kohën kur ajo është udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës.