Elbasan – Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me komisariatet e rretheve në qark, Prokurorisë së Rrethit, por edhe të qyteteve të tjera që kufizohen me Elbasanin, vazhdojnë kërkimet për kapjen e 37 vjeçarit Lulzim Paja, i cili theu lejen e më pas është arratisur nga burgu. Nëndrejtori i Policisë, Rezar Velmishi, tha se “kanë nisur kërkimet intensive në të gjitha pistat e mundshme, si tek të afërmit, shokët, edhe në disa pista të tjera që nuk bëhen të ditura, për arrestimin e 37 vjeçarit, i cili theu lejen e dhënë nga Drejtoria e Burgut e më pas është arratisur”.
Ai tha se “ditën e mërkurë kanë nisur proçedurat për shpalljen e 37 vjeçarit në kërkim ndërkombëtar, pasi një nga pistat mund të jetë edhe largimi i tij jashtë Shqipërisë nëpërmjet kufirit tokësor”.
37 vjeçari Lulzim Paja, i dënuar në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit, ka thyer lejen e dhënë nga drejtoria duke mos u kthyer në Institutin e Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Peqin. 37 vjeçari kishte 15 vjet që kryente dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit për veprën penale “Arratisje nga burgu”. Mësohet se ai kishte per te kryer edhe dy vjet burg, pasi Gjykata e kishte dënuar me 17 vjet heqje lirie. Ai ishte akuzuar për vrasjen aksidentale të një 23 vjeçari në qytet, ku pas hetimeve rezultoi se nuk ishte ky autori i vrasjes. Pas 7 muajsh në burgun e Tiranës, Paja kaloi muret e fushës së ajrosjes dhe u arratis. Këtë akt ai e kreu vetëm dy muaj para se gjykata ta shpallte të pafajshëm. Vetëm disa muaj më vonë Policia e arrestoi ate në Llixha ku qëndronte i fshehur dhe më pas gjykata e dënoi me 17 vjet burg për arratisje nga burgu i Sigurisë së Lartë.
Wednesday, 21 December 2011 19:00