Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 22:15

Varshavë – Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, zhvilloi një takim të përzemërt me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Të dy krerët e shteteve fqinje ndodhen në Varshavë për të marrë pjesë në Takimin e 17-të të Presidentëve të Shteteve të Evropës Qendrore.

Pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim të parë me përfaqësuesen më të lartë të shtetit më të ri ballkanik, ku edhe e uroi sërisht, këtë radhë personalisht Presidenten Jahjaga për zgjedhjen me dy të tretat nga Kuvendi i Kosovës në detyrën e lartë, Kreu i Shtetit shqiptar, Bamir Topi vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona, si dhe bashkëpunimin e ngushtë e në rritje, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Duke i uruar Presidentes Jahjaga suksese në përballimin e të gjitha sfidave që ka Republika e Kosovës drejt rrugës së integrimit të plotë euroatlantik, si dhe duke shprehur mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar në të gjitha proceset e saj të zhvillimit, Presidenti Topi shprehu bindjen e plotë se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve tona do të zhvillohen e intensifikohen më tej në të gjitha drejtimet, në të mirë të kombit tonë dhe paqes e stabilitetit afatgjatë në rajon.

Në këtë drejtim, dy Krerët e Shteteve theksuan rëndësinë e hartimit dhe realizimit të projekteve konkrete nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit në fusha si infrastruktura, energjetika, drejtësia, turizmi, arsimi, etj, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, nga ana e saj, duke shprehur kënaqësinë për takimin me Presidentin Topi, theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kosovës do të vvazhdojnë të forcohen e konsolidohen më tej, në interes të të dy vendeve tona fqinje e mike. Presidentja Jahjaga falenderoi Kreun e Shtetit shqiptar për përpjekjet e tij të vazhdueshme institucionale, por dhe personale, për shtimin e njohjeve të shtetit të ri të Kosovës nga vende të tjera të botës.

Presidentja e Kosovës, theksoi se “Kosova është shtet i ri që ka ndikuar e po ndikon në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon, ndërsa është angazhuar për forcimin e politikës së jashtme, së bashku me institucionet e pozitës e opozitës kosovare, duke hartuar edhe një strategji për këtë qëllim”. Gjithashtu, duke u ndalur në procesin e ri të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen për kontributin e shtetit shqiptar edhe në këtë drejtim, duke nënvizuar se “së bashku, përmes bashkëpunimit reciprok, do të vijojmë të punojmë për të përmbushur detyrimet për integrimin në Bashkimin Evropian”.

Në këtë takim, Presidenti Topi e ftoi Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga që të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u pranua me shumë kënaqësi dhe vizita do të realizohet në një kohë të përshtatshme.