Lajme Shqip Saturday, 28 May 2011 16:23

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi të premten në Varshavë me Presidentin polak, Bronislav Komorovski, theksoi nevojën e nxitjes së bashkëpunimit ekonomik me Poloninë.

Presidenti shqiptar, i cili po merr pjesë në takimin e 17-të të Presidentëve të Evropës Qendrore që po zhvillohet në Varshavë, shprehu besim se me mbështetjen e plotë të Polonisë, e cila së shpejti do të mbajë Presidencën e radhës së BE-së dhe me angazhimin maksimal të shtetit shqiptar, vendi ynë do të arrijë të përballojë të gjitha pengesat, për të bërë të mundur realizimin e detyrimeve dhe përmbushjen e synimit për integrimin në familjen evropiane.

Duke vënë në dukje faktin që Polonia vazhdon të jetë partner i rëndësishëm e tradicional në bashkëpunimin ekonomik, Presidenti Topi theksoi se Shqipëria i ka të gjitha kushtet për të tërhequr më tepër investitorë polakë, me qëllim rritjen dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimin edhe në fusha si: energjitika, infrastruktura, turizmi, etj. Në këtë pikë, ai ftoi Presidentin polak Komorovski që të vizitojë zyrtarisht vendin tonë në një kohë të përshtatshme, ftesë e cila u pranua me kënaqësi të veçantë.

Presidenti polak, duke vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, shprehu bindjen në intensifikimin e tyre duke shtuar se zgjerimi i mëtejshëm i dialogut dhe bashkëpunimit në të gjitha nivelet do të jetë akoma edhe më intensiv në të ardhmen.

Presidenti Komorovski, duke u shprehur se “një nga përparësitë kryesore të Presidencës së radhës së Polonisë do të jetë pikërisht synimi për zgjerim dhe integrim të vendeve të reja në gjirin e familjes së madhe evropiane, të cilët kanë plotësuar të gjitha standardet e kërkuara”, vlerësoi rolin e rëndësishëm stabilizues të Shqipërisë për ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajonin ballkanik, duke nënvizuar se Polonia do të vijojë të përkrahë dhe mbështesë shtetin shqiptar në hapat e rëndësishëm të demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe realizimit të aspiratës së saj për integrim në BE.