Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 16:59

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë, sot paradite, në ceremoninë e hapjes së Takimit të 17-të të Presidentëve të Shteteve të Evropës Qendrore, në Kështjellën Mbretërore “Zamek Krolevski”, në Varshavë

Presidenti i Polonisë, Bronislav Komorovski çeli punimet e sesionit të parë me një fjalë përshëndetëse për të gjithë të ftuarit, ku vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin e frytshëm në fusha të rëndësishme me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

Presidenti Topi u ndal në arritjet e vendeve të rajonit ballkanik.

“Ne kemi një ndryshim të rëndësishëm gjeopolitik në rajon”, u shpreh ai, duke ju referuar shtetit më të ri, Kosovës, ku vlerësoi avancimin e reformave institucionale që po bëhen atje, si dhe shprehu kënaqësinë që në takim merr pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Arrestimin e kriminelit serb të luftës, Ratko Mlladiç, Presidenti Topi e quajti “një lajm i gëzuar”, që risjell edhe një herë në vëmendje që demokracia është shumë e rëndësishme dhe që në çdo lloj rrethane triumfon.

Duke pohuar se “sot Ballkani Perëndimor ka një fizionomi tjetër”, Kreu i shtetit vlerësoi faktin se sot diskutohet kryesisht për probleme të perspektivës dhe më pak për ato të retrospektivës.

“Unë dëshiroj të vë në dukje se sot më shumë se kurrë, lind nevoja që vizioni i lidershipit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të orientohet pa asnjë lloj paragjykimi drejt perspektivës evropiane dhe euroatlantike”, vlerësoi Topi.

Presidenti vuri në dukje se Shqipëria ka mundësi sot të demonstrojë elementë pozitivë të arritjeve dhe pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, si në çdo vend tjetër demokratik, vizioni i të gjithë politikës shqiptare në unison, nuk është në asnjë moment kontestues ndaj politikave madhore të integrimit.

“Kjo është arsyeja që rritja e demokracisë së brendshme, forcimi i shtetit të së drejtës, ndërtimi i politikave ekonomike, të cilat çdo ditë vijnë e konsolidohen, bëjnë të mundur që ne të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, do të jetë një moment kohor i afërt”, tha Topi.

Presidenti Topi shprehu qëndrimin e shtetit shqiptar në mbështetje të agjendës prioritare të Polonisë si kryesuese e radhës së BE-së.

“Siç presim dhe kemi besim se gjatë mandatit të saj dhe më tej, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të ndjekin politikën e afrimit dhe të dyerve të hapura për plotësimin e familjes evropiane me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Presidenti Topi në përfundim të fjalës, në Takimin e 17-të të Presidentëve të Evropës Qendrore.