Lajme Shqip Tuesday, 03 January 2012 09:30

Shkup – Në Alenë e kolosëve në varrezat në Butel sot në orën 13 do të bëhet varrimi i Kiro Gligorovit, presidentit të parë të Republikës së Maqedonisë së pavarur.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë dje mbajti seancë në të cilën u mor vendimi që dita e sotme të shpallet ditë zie me rastin e vdekjes së Gligorovit.

Me rastin e vdekjes së Gligorovit seanca komemorative do të mbahen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe në selinë e LSDM-së.

Telegrame ngushëllimi deri te familja dërguan presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, kryeministri Nikolla Gruevski dhe kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski, si dhe politikanë të huaj.

Gligorov ndërroi jetë pardje në shtëpinë e tij në Shkup në moshën 94-vjeçare. Lindi më 3 maj të vitit 1917 në Shtip. Ishte president në dy mandate nga viti 1991 deri në vitin 1999. Për president të Republikës së Maqedonisë u zgjodh më 27 janar të vitit 1991 nga ana e Kuvendit, ndërsa për herë të dytë më 19 nëntor të vitit 1994 në zgjedhjet presidenciale. Funksionin president e ushtroi deri më 19 nëntor të vitit 1999.

Pas pensionimit Kiro Gligorov ishte aktiv si publicist. Gligorov është autor i disa veprave, kryesisht të shkruara pas përfundimit të mandantit të tij si president – “Maqedonia është gjithçka që kemi” (2001), “Atentat – një ditë më past” (2002), “Kohëra të stuhishme: Republika e Maqedonisë realitet i Ballkanit” (2004) dhe “Të gjitha reformat jugosllave (afariste)” (2006). Ai është themelues edhe i fondacionit “Kiro Gligorov”.

Ishte funksionari maqedonas më i vjetër politik. Më 17 nëntor të vitit 1999 kur përfundoi mandati i tij i dytë presidencial, ai kishte 82 vjeç, ndërsa në vitin 2000 Libri i rekordeve Ginis e shënoi Gligorovin si presidenti më i vjetër i një shteti në botë.

Në vitin 1991 e udhëhoqi Maqedoninë e cila përmes rrugës paqësore u pavarësua nga Republika e atëhershme Socialiste Federative e Jugosllavisë në të cilën Gligorov ushtronte funksione të larta shtetërore. Më 8 prill të vitit 1993 Gligorov për herë të parë u drejtua në gjuhën maqedonase në foltoren e Kombeve të Bashkuara kur Republika e Maqedonisë u bë anëtarja e 181-të e KB-së.

Më 3 tetor të vitit 1995 në orën 9:50 përjetoi atentat me auto-bombë të vendosur në rrugën Maqedonia në afërsi të hotelit “Bristol”. Ende nuk janë bërë të ditur porositësit e as kryerësit e atentatit.

Në vitin 2005 u bë bartësi i parë i “Dekorata e Republikës së Maqedonisë”.