Lajme Shqip Tuesday, 27 September 2011 17:41

Tiranë – Artistë, politikanë, miq e të afërm, nderuan aktorin e humorit, Vasillaq Vangjeli, në homazhet e zhvilluara mesditën e sotme për të në Teatrin e Metropolit. Për 30 vjet rresht, mbi 1000 role në skeçe, parod,i kuplete, recitime, pantomimë, komedi,etj., aktori Vasillaq Vangjeli do të mbahet mend nga miqtë e kolegët si një njeri i humorit në skenë dhe në jetë.

Koço Devole: Vaso për mua ka qënë një nga aktorët me të spikatur të humorit shqiptar. Me karakteret që ka sjellë në skenë dhe në ekran ka bërë që për 45 vjet publiku ta duartrokasë dhe të qeshë me të. Ai do të mbahet mënd si njeriu që sillte humor në tavolinë, në shoqëri, si njeriu që diti të interpretojë parodinë, këngën humoristike dhe do të mbetet një aktor i madh i skenës dhe ekranit.

Arian Çuliqi: Kam shumë kujtime me Vasillaq Vangjelin sepse me të kam punuar shumë, kam qënë regjisor në shumë filma me të, por asnjëherë se kam parë veten si regjisor, por si një nxënës para se tij, sepse ai i ka qënë një njeri që vetëm donte të ndihmonte. Me humbjen e tij publiku i gjërë humbi humorin e tij, lojën e tij brilante, ndërsa ne si miq humbën mirësinë dhe dashurinë që ai dhuroi gjithë jetën.

Sulejman Dibra dhe kolegët e Estradës së Tiranës në një shkrim për Vasillaq Vangjelin.

Mbetet ndër artistët më në zë të Estradës së Tiranës. U rrite në këtë estradë dhe ti i dhe asaj gjënë më të shtrenjtë e më të bukur, shpirtin tënd. Artisti i përmasave gjigande mbete në çdo krijim, ku talenti të shpërfaqi në mijra karaktere që krijove. Humori me bollëk në gojën tënde buronte si gurgullimë kroi nga bjeshkët e largëta, e vinte në skenë në ambiente miqsh e shokësh.

Kiço Londo: Jam i nderuar që kam mundur ta kem pjesë të stafit në shfaqjet e komedisë “Lezeti i kolltukut dhe krevatit”, “Një burrë me dy gra” dhe “Gjashtë vjet shtatzënë”. I saktë dhe profesionist, me një talent të lindur në artin e aktrimit, po aq sa edhe me humor në kapërcimin e çdo të papriture skenike. Vasillaq Vangjeli mbetet një aktor i shkëlqyer i dramës, por që nuk arriti ta tregonte  fuqinë e tij dramatike.

I lindur në Fier në 19 shkurt 1948, nga një familje me origjinë nga Përmeti, dhe i rritur në Tiranë, Vasillaq Vangjeli që në fëmijëri ka qënë i apasionuar me filmin dhe teatrin. Pasi mbaroi Akademinë e Arteve në vitin 1975 roli i tij i parë në Teatrin Popullor ka qenë ai i një shoferi te drama “Lezia”, një dramë e Kiço Blushit me regji të Piro Manit. Artisti asnjëherë nuk e ka mohuar se edhe pse numëron më shumë role në komedi, gjithmonë e ka tërhequr më shumë teatri dhe drama.

Artisti që na ka bërë të qeshim me batutat e tij do të mbahet mënd për Koçin te “Zonja nga qyteti”, baletmaestrin te “Mirela”, apo për interpretimet te “Shoku ynë Tili”,  “Dordoleci”, “Donkishoti”, etj.

Për herë të fundit Vangjelin e duartrokitëm në interpretimin e tij në shfaqjen “Harvey”, të shfaqur premierë në Teatrin e Metropolit, aty ku aktori për vite me radhë mori duartorkitjet e shumta të publikut. Aty ku sot miqtë dhe kolegët i dhanë lamtumirën për ta shoqëruar më pas në banesën e fundit.

Ngushëllime për ndarjen nga artisti i madh dërguan edhe personalitetet më të larta të vendit.

Ndër ta, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ngushëlloi përmes një mesazhi familjen e aktorit të mirënjohur.

“Teatri i estradës dhe komedisë dhe i gjithë komuniteti i artit shqiptar humbi aktorin e spikatur, që me humorin e tij solli kënaqësi shpirtërore në çdo familje shqiptare”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryeparlamentares.

“Vasillaq Vangjeli, aktori me shpirt të lirë, mbetet nga të parët që çmitizoi me humor e ironi therëse diktatorin Hoxha, ashtu siç do të mbetet në kujtesën e të gjithëve me dhjetra rolet që ai interpretoi për vite të tëra. Të gjithëve do të na mungojë buzëqeshja e dhuruar nga ai, por të gjithë do t’a kujtojmë atë me buzëqeshje, duke risjellë në mendje personazhet e interpretuara me aq talent”, citohet në mesazhin e kryetares së Kuvendit.

Aktori i humorit, Vasillaq Vangjeli u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 63-vjeçare. Për më shumë se 45 vjet në skenë, ai luajti mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë. Emri i tij është i lidhur ngushtë me këtë të fundit, ku ka punuar për dekada dhe ka qenë pjesë e pothuajse të gjitha premierave, duke krijuar personazhe komikë që ende kujtohen nga publiku.