Prishtinë – Filatelia e Postës së Kosovës sot lëshoi në qarkullim emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Vallet kosovare”. Vallet janë pjesë e kulturës artistike popullore, që përfshin kërcimet tradicionale në raste festash e argëtimesh popullore. Vallet lirike zënë vend të madh në folklorin kosovar, luhen kryesisht nga gratë, më pak nga burrat ose gra e burra bashkë. Llojet e tyre janë vallet rituale, vallet e dasmës, vallet humoristike etj.
Vallet epike karakterizohen nga forca, burrëria, trimëria, karakteri luftarak, madhështia etj. Luhen kryesisht nga burrat dhe më pak nga gratë ose së bashku. Llojet e tyre janë: vallet luftarake Loja e Rugovës me jataganë, vallet dyluftimi dhe valle trimërie. Në disa valle ka gërshetime të lirikës me epiken, liriko-epike dhe epiko-lirike, kërcim burrash etj. Përmes pullave postare të këtij emisioni Filatelia e PK-së prezanton tri segmente nga vallet kosovare, me të cilat që nga 25tetori mund të furnizoheni në zyrat postare të PK-së.
Ky emision përbëhet prej tri pullave postare me vlerë nominale 0.50, 0.70 dhe 1 euro, si dhe Zarfit të Ditës së Parë, ndërkohë që do të jenë në dispozicion për koleksionuesit dhe konsumatorët që nga 25 tetori.(LajmeShqip.com)
Thursday, 25 October 2012 17:49