Tiranë- Në një kohë kur industria financiare është goditur fort nga kriza, një segment i saj, ai i mikrokredive, që jepen kryesisht për bizneset e vogla dhe fermerët, duket se po përballet mjaft mirë.
Drejtoresha e Unionit Shqiptar Kursim Kredi, Zana Konini, u shpreh se “në fund të vitit 2011 portofoli në risk i unionit qëndroi në nivelin 4%, një shifër kjo shumë interesante dhe pothuajse e papërfillshme, kundrejt portofolit të kredisë që shënon 3.8 miliardë lekë dhe depozitave 1.3 miliardë lekë”.
Avantazhi kryesor i mikrokredisë është se ajo nuk kërkon garanci për hipotekë. Në fund të vitit 2011 përmes kësaj skeme kanë marrë financime mbi 60 mijë individë apo biznese të vogla, numër që ka ardhur në rritje nga viti në vit.
Aktualisht USHKK operon me aktivitetin e saj mikrofinanciar në mbi 1070 fshatra, në 16 rrethe të vendit, ku numërohen rreth 31.500 anëtarë.
Drejtoresha Konini thotë se kërkesa për kreditë e vogla vijon të mbetet e lartë, sidomos tek fermerët.
“Në zonën rurale nuk ka pothuajse asnjë ndërhyrës financiar dhe nevojat për kredi mbeten akoma larg të qenurit të plotësuar”, tha Konini.
Në shumë vende të botës, kryesisht ato me të ardhura të ulëta, mikrokredia është shndërruar në një nga financuesit kryesor të fermerëve të varfër, apo bizneseve të vogla individuale dhe familjare.
Gjatë vitit 2012 Unioni SHKK do të synojë të konkurrojë bindshëm në treg për të rikonfirmuar pozitën e tij si institucioni kryesor i financimit në zonat rurale, me aktivitetin më të madh ekonomik në Shqipëri.
Drejtues te unionit bënë të ditur se ky institucion do të vazhdojë të fokusojë veprimtarinë e vet në zonën rurale, me objektiv ofrimin e shërbimeve financiare, nxitjen e zhvillimit të aktiviteteve që sjellin të ardhura dhe rritjen e nivelit social-ekonomik të jetesës në këto zona.
Unioni SHKK është një institucion mikrofinance, i licencuar nga Banka e Shqipërisë, që ka si qëllim të tij ofrimin e shërbimeve financiare për fermerët, banorë të zonave rurale të vendit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 January 2012 20:00