Gjirokastër – Bashkia e Gjirokastrës ka hartuar një strategji të qartë dhe afatgjatë për zbutjen maksimale të problemit të strehimit. Burimet zyrtare nga bashkia pohojnë se zyra e shërbimit në bashki ka mundur të sigurojë çdo vit fonde, veçanërisht për familjet më problematike për strehim.
“Në vitin 2011 numri i të pastrehëve në Gjirokastër u reduktua ndjeshëm falë financimit të qeverisë nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave. Me fondin e akorduar, rreth 70 familje u trajtuan me kredi të buta si të pastreha, ndërsa 35 të tjera që banojnë në familje me ish-pronarë morrën kredi me përqindje zero”, tha drejtori i zyrës së shërbimeve në bashki, Dasho Sejdo. Sipas tij, për disa familje akordimi i kredive të buta është domosdoshmëri, pasi ato banojnë jo vetëm në kushte të vështira, por edhe në sipërfaqe tepër të vogla, madje në një dhomë të vetme.
Të njëjtin shqetësim ngre Sejdo edhe për familjarët që banojnë në banesat me ish – pronarë, të cilat duhen liruar sa më shpejt dhe të vihen në dispozicion të pronarëve.
Në Gjirokastër kanë aplikuar për të marrë kredi për banesa rreth 340 familje.
Friday, 27 January 2012 12:09