Ulen parashikimet për ekonominë e Eurozonës. Sipas të dhënave të muajit maj të BQE, parashikimi për rritjen gjatë këtij viti është ulur në 0,2% nga 0,1% nga vlerësimi i muajit të mëparshëm, ndërkohë që për vitin 2013, PBB është parashikuar të rritet në 1% nga 1,1%.
Në raportin mujor të Bankës qendrore inflacioni do të shkojë në 2,3% gjatë këtij viti, më lartë se pritjet e tre muajve më parë. Por më shqetësuese po vijon të kthehet situata në tregun e punës ku norma e papunësisë pritet të ngjitet në 11% nga 10,6% në tre mujorin e mëparshëm.
Tregjet e punës në Eurozonë do të vijojnë të dobësohen. Punësimi ka rënë në gjysmën e dytë të 2011 ndërsa papunësia është rritur. Të dhënat e Eurotower, sinjalizojnë se do të ketë zhvillime të mëtejshme negative në të ardhmen. Për BQE, sëbashku me korrigjimin e llogarive publike nevojitet rritje përmes reformave strukturore vendimtare.
Edhe njëherë instituti më i lartë bankar i Evropës këshillon se për të fuqizuar rritjen kryesisht në ato vende që kanë humbur produktivitetin dhe duhen stimuluar, është e nevojshme rritja e konkurrueshmërisë në tregjet e mallrave dhe shërbimeve dhe aftësitë për të rregulluar pagat dhe punësimin e bizneseve. BQE në fakt vlerëson progreset e bëra deri më tani, por kërkon vizione më ambicioze për qeveri të ndryshme në marrjen e politikave të zgjidhjes për të përballuar çekuilibrat dhe vulnerabilitetin në planin financiar, strukturor dhe llogarive publike.
2012 do të karakterizohet nga një rimëkëmbje graduale e mbizotëruar nga pasiguritë. Për një periudhë më të gjatë instituti i Frankfurtit parashikon një rikuperim gradual të favorizuar nga kërkesa e jashtme, normave të interesit më të ulëta dhe nga aplikimi i të gjitha masave të miratuara për promovim të funksionimit të mirë të ekonomisë në Eurozonë por banka saktëson se pritet që dinamika bazë e rritjes të frenohet nga tensionet e disa tregjeve të borxhit Sovran në zonën euro dhe nga impakti mbi kushtet e kredive, por edhe nga korrigjimi i bilanceve të sektorit financiar dhe papunësisë së lartë.
Thursday, 10 May 2012 17:00