Lajme Shqip Monday, 19 December 2011 19:30

Elbasan – Edhe pse temperaturat janë ulur ndjeshëm ditët e fundit në qytetin e Elbasanit, duket se qytetarët kanë synim që të kryejnë të gjitha shpenzimet e duhura me rastin e festave të fundvitit. Një fluks qytetarësh që në orët e para të mëngjesit ditët e fundit janë drejtuar në tregun kryesor të qytetit për të bërë psonisjet duke nisur që nga frutat e deri tek bulmeti dhe mishi.

Gjatë një vëzhgimi në tregun e qytetit të bie në sy një shitje masive e mallit nga ana e tregtarëve, të cilët shprehen se këtë vit ka pasur një shitje me bollëk të fruta-perimeve si edhe të gjelit të detit. “Çmimet janë ulur ndjeshëm dhe nuk parashikohet që të ketë rritje deri në fund vit, pasi thuajse i gjithë malli kryesisht frutat dhe perimet janë nga vendi”, thotë një tregtare, e cila prej vitesh shet në tregun e madh të qytetit.

Gjithashtu, ulje çmimi këtë vit kanë patur edhe gjelat e detit dhe rikat. “Vij çdo fundviti dhe shes gjelat në treg, ku një vit më parë e kam shitur kilen e gjelit me 800 lekë, ndërsa këtë vit varjon nga 550 -600 lekë”, thotë një fermer nga Peqini.

Ulje e çmimit këtë vit është vënë re edhe tek vezët apo te bulmeti, çka ka shtuar numrin e qytetarëve për të blerë me shumicë të gjithë konsumin për festat e fundvitit.  Një fluks i tillë këto ditë të fundit të vitit është vënë re edhe në tregjet e vogla të qytetit, ku tregtojnë prodhime vendi fshatarët e zonave përreth Elbasanit.  Edhe në këto tregje çmimi thuajse është i njëjtë me çmimet e tregut të madh, ç’ka ka bërë që qytetarët të psonisin shumë pranë banesave të tyre duke shmangur kështu rrugën deri tek tregu i madh i qytetit.