Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 19:30

Tiranë – “Ndërhyrja e qeverisë me aplikimin e marzheve të ulëta për barnat e rimbursueshme, solli çmime më të ulëta për to por dhe më shumë përfitime për pacientët gjatë këtij viti”, tha sot drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana.

Shpenzimet e rimbursimit të barnave u rritën ndjeshëm gjatë këtij vitit për shkak të zgjerimit të skemës, çmimeve më të larta të barnave, rritjes së kursit të këmbimit të euros, por edhe faktorëve te tjerë.

“Bilanci ynë në këtë fundviti tregon se ulja e çmimeve pati efekt në uljen e shpenzimeve totale te rimbursimit me 7% dhe me këto fonde, bëmë të mundur të mjekohen një numër më i madh pacientësh nga muaji në muaj”, tha Hana gjatë një konference për mediat.

“Në zbatim të politikave të Qeverisë që nga viti 2006 e këtej, është arritur ulja çmimeve të barnave të rimbursueshme në funksion të rritjes së përfitimeve për pacientët, duke e zgjeruar skemën me ritme mjaft të larta nga viti në vit”, tha Hana.

Hana tha se “sot, ne numërojmë 420 barna në listën e rimbursimit me një vlere prej 6.9 miliard lekë, duke dyfishuar përfitimet e pacientëve, krahasuar me vitin 2006”.

Grupi i pacientëve që trajtohen me barna të shtrenjta ka qenë dhe grupi që ka përfituar më shumë nga ulja e çmimeve. Po ashtu, për barnat e grupit të sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat trajtojnë sëmundje kronike kryesisht për kategorinë e pensionistëve dhe veteraneve, ka një rritje të numrit të pacientëve të trajtuar.