Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 09:15

Stamboll – Ministri turk i Energjetikës, Taner Jëlldëz deklaroi se Turqia nuk do t’i mbështesë sanksionet e reja  kundër Iranit, të cilat eventualisht do të përfshihen në embargon ndaj importit të naftës iraniane.

“Nuk jemi njoftuar për asnjë lloj sanksioni dhe nuk kemi kërkuar të mënjanohemi nga zbatimi i tyre”, deklaroi ministri turk.

Jëlldëz theksoi se Turqia nuk është anëtare e BE-së dhe në pajtim me këtë nuk është e obliguar t’i respektojë sanksionet e vendosura  nga Bashkimi Evropian.

Tashmë pritet që më 23 janar ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së të takohen dhe të bisedojnë për vendosjen mbi ndalimin e importit të naftës nga Irani për shkak të programit bërthamor të Teheranit.

Kryetari i parlamentit iranian Ali Larixhani, i cili gjendet për vizitë në Turqi, deklaroi se programi bërthamor i Iranit është shumë i fuqishëm që të vështirësohet me vrasjen e disa shkencëtarëve. Ai e akuzoi Izraelin për serinë e vrasjeve të disa shkencëtarëve bërthamorë iranianë. 

Larixhani theksoi se Irani dëshiron të filloj negociata të reja me gjashtëshen ndërkombëtare (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania) për zgjidhjen e kontestit me programin bërthamor, me mundësi që kjo të mbahet në Stamboll.