Lajme Shqip Tuesday, 11 October 2011 08:03

Tiranë – “Është vizioni i Turqisë, që Shqipëria të integrohet në institucionet euroatlantike dhe mbështet, përkrah fuqishëm edhe prirjen, aspiratën evropiane të Shqipërisë”, deklaroi dje  Presidenti turk, Abdullah Gyl, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me Presidentin Bamir Topi, i cili po zhvillon një vizitë tre ditore në Turqi.

Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se Presidenti Gyl u shpreh se jemi dy vende që ndajmë dhe vizione të përbashkëta për të ardhmen.”Shqipëria është aleati ynë në Ballkan dhe vazhdon bashkëpunimi në këtë kontekst për ta shtrirë këtë stabilitet dhe paqe në të gjithë Ballkanin”, u shpreh ai.

Duke u ndalur në mardhëniet ekonomike mes dy vendeve, Gyl deklaroi se “kemi marrëdhënie tregtare, me shkëmbime tregtare, 135 milion euro. Kemi hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të tregtisë së lirë midis dy vende dhe një dimension tjetër i këtij bashkëpunimi ekonomik, janë investimet turke që kanë arritur në 1.5 miliardë euro në Shqipëri”.

Sipas tij, këto investime janë të shtrira në disa sektorë, në hekur, në shëndetësi, në telekomunikacion, në arsim, në banka.

Më tej, kreu i shtetit turk, nënvizoi se “midis Turqisë dhe Shqipërisë, marrëdhëniet kanë edhe dimensionin e tyre të turizmit dhe atë kulturor, dhe shprehim kënaqësinë e madhe për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve edhe në këto fusha”.

Ndërsa Presidenti Bamir Topi, duke i cilësuar të shkëlqyera mardhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, tha se  “edhe për ne Turqia është një partner i rëndësishëm strategjik në rajonin ballkanik, por edhe me gjerë”.

Kreu i shtetit shqiptar bëri të ditur se “diskutuam me Presidentin Gyl edhe një herë nevojën për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike.Ndonëse problemet ekonomike në botë janë evidente. Kjo nuk i ka penguar investitorët turq që të vijnë në Shqipëri”.

Ai  përforcoi  faktin se këto mardhënie, mund t’i zhvillojmë më tej në fushën e ekonomisë arsimit, shëndetësisë si dhe të  turizmit.

“Ne i jemi shumë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e veçantë që ka bërë për njohjen e Kosovës. Kosova sot është një vend, i cili afron jo destabilitet, por afron stabilitet në rajonin ballkanik falë një politike të ekuilibruar të institucioneve të Kosovës”, u shpreh Topi.

Duke u ndalur në situatën politike në Bosnje, Topi tha se “Shqipëria dhe Turqia do të punojnë me tej, në një bashkëpunim shumë intensiv për ta forcuar paqen në rajonin ballkanik”.

Në përfundim Presidenti Bamir Topi, vuri në dukje edhe rolin e jashtëzakonshëm të Presidentit Gyl, duke theksuar se “ka qenë gjithmonë i gatshëm së bashku me autoritetet e tjera të institucioneve të Turqisë për ta ushqyer këtë marrëdhënie dhe për t’iu gjendur Shqipërisë në momente të vështira”.