Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 16:44

Ankara (PLOTËSUAR 17:09) – Ekipet turke për shpëtim sot e nxorën nga rrënojat edhe gruan, foshnja e së cilës u shpëtua 46 orë pas tërmetit i cili e goditi qarkun Van. Pamjet televizive treguan se si gruaja është nxjerrë nga rrënojat dhe me automjetin e ndihmës së shpejtë është dërguar në spital.

Sipas të dhënave zyrtare numri i viktimave nga tërmeti me intensitet prej 7,2 ballëve sipas Shkallës së Rihterit që të dielën e goditi Vanin është 370. Rreth 1.300 njerëz janë lënduar në katastrofën natyrore. Sipas federatës ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe tërmeti ka rrëzuar 2.256 ndërtesa.

****************************

Ankara (16:44) – Një foshnje 14-ditëshe është nxjerrë e gjallë nga rrënojat, 46 orë pas tërmetit në qarkun juglindor turk Van.

Ekipet e shpëtimit besojnë se ekziston mundësi e madhe se është gjallë edhe nëna e fëmijës dhe se ajo ndodhet nën rrënoja.

Ndërkohë, një ndërtesë shtatëkatëshe u shemb në qytetin Van, dy ditë pas tërmetit të fuqishëm.

Një bllok me 46 apartamente u shemb, ndërsa nuk dihet nëse në ndërtesë ka pasur njerëz, por sipas dëshmitarëve okularë janë dëgjuar zëra.

Tërmeti me intensitet prej 7,2 ballëve sipas shkallës Rihter të dielën pasdite e goditi pjesën juglindore të Turqisë, e pastaj pasuan qindra lëkundje dytësore. Autoritetet i paralajmëruan të mbijetuarit që të mos hynë në ndërtesat e dëmtuara.