Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 14:13

Prishtinë – Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, u nis sot për një vizitë zyrtare në Turqi (26 -29 tetor), ku pritet të ketë takim me ministrin e Mbrojtjes, Ismet Yilmaz, për çështje me rëndësi në kuadër të bashkëpunimit midis dy ministrive.

Ministri i FSK-së, Agim Çeku dhe Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Ismet Yilmaz, do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi për industrinë e Mbrojtjes.

Po ashtu, ministri Çeku do të takohet me Komandantin e Brigadës së 28-të të Këmbësorisë së Mekanizuar si dhe do të përcjellë nga afër një demonstrim të Operacionit Mbështetës për Paqe.

Ndërsa, më 28 tetor Çeku do të takohet  me Shefin e Shtabit të Ushtrisë së Republikës së Turqisë.

Vizita e ministrit Çeku në Ankara do të realizohet me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Turqisë dhe në kuadër të bashkëpunimit të mirë ndërmjet ministrive të të dy vendeve.