Tiranë -Kryeministri Berisha, i cili nisi sot një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, zhvilloi në Ankara një takim me Presidentin Abdullah Gül. 
Kryeministri Berisha dhe Presidenti Gül, duke shprehur kënaqësinë e këtij takimi, pohuan se të dy vendet e kombet janë dhe mbeten miq të vërtetë.
Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit Gül mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme ndaj Shqipërisë, për mbështetjen për anëtarësimin në NATO, si dhe për mbështetjen që Turqia i ka dhënë dhe i jep Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj.
Kryeministri shprehu gjithashtu falënderimet për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe ndihmën e çmuar në sektorin e mbrojtjes, në shkëmbimet ekonomike dhe investimet turke në Shqipëri, të cilat në këto 5 vitet e fundit janë rritur të paktën 6 herë në sektorë të rëndësishëm të jetës së vendit. Duke i vlerësuar këto investime si shumë të rëndësishme për Shqipërinë, Kryeministri Berisha ripohoi mirënjohjen ndaj Presidentit Gül, Kryeministrit Erdogan, qeverisë turke dhe popullit mik turk.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Gül me reformat e thella e të gjithanshme që qeveria shqiptare ka realizuar dhe po vijon të punojë me përparësi kryesore ecjen përpara me shpejtësi drejt projektit më madhor të shqiptarëve për këtë shekull, anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet vëllazërore mes të dy vendeve e kombeve dhe vullneti i palëkundur i të dy palëve për t’i thelluar lidhjet e panumërta të miqësisë mes dy popujve, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.
Presidenti Gül e siguroi Kryeministrin Berisha se Turqia do vijojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha fushat.
Presidenti Gül i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për reformat e suksesshme të realizuara gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, duke theksuar se janë këto arritje që kanë nxitur dhe motivojnë çdo ditë e më shumë investitorët turq dhe të tjerë të huaj për të ardhur për biznes e investime në Shqipëri. Në këtë kontekst, Presidenti Gül e siguroi Kryeministrin Berisha se si president i vendit mik do të vijojë të nxisë investitorët turq për të investuar në Shqipëri. Në veçanti, sektori i turizmit u vlerësua si një ndër sektorët, ku investimet turke mund të shënojnë histori të vërtetë suksesi për ta dhe për Shqipërinë.
Në takim u vlerësua edhe bashkëpunimi i shkëlqyer që të dy vendet ruajnë si vende aleate në NATO.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon dhe ripohua mbështetja për integrimin euroatlantik të vendeve të rajonit, si një faktor thelbësor për konsolidimin e mëtejshëm të paqes, stabilitetit e të ardhmes më të mirë të popujve të tij.
Thursday, 05 April 2012 15:13