Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 17:30

Tropojë – Turistët e huaj kanë nisur të rikthehen në pikën turistike të Valbonës, e cila prej afro dy muajsh ishte braktisur prej tyre për shkak të reshjeve të mëdha të dëborës, trashësia e së cilës arriti në mbi 3 metra.

“Ende kemi dëborë, trashësia e së cilës arrin në afro 60 centimetra, por tashmë ajo po tërheq turistët që kanë nisur të rikthehen. Kemi disa ditë nga 20 – 30 turistë të huaj, të pasionuar pas skive dhe alpinizmit”, thotë kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj.

Sipas tij, turistët e parë, të ardhur pas dimrit të egër të këtij viti, janë nga Gjermania dhe Austria, që kanë qenë në këtë zonë edhe më parë. Ndërkohë, kanë nisur të rikthehen edhe kosovarët, që ushtrojnë sportin e skive, apo gjuetinë në masivet pyjore të kësaj pike turistike.

Në pikën turistike të Valbonës ushtrohet turizmi malor gjithëvjetor. Kjo ka nxitur edhe shtimin e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në gjithë zonën e Valbonës. “Veçanërisht investime të konsiderueshme në këtë zonë po kryen FSHZH-ja, e cila edhe monitoron cilësinë e punimeve të kryera”, tha Biberaj.

Fluksi në rritje i turistëve gjatë viteve të fundit ka treguar se Valbona gjithnjë e më shumë po bëhet e pranishme në hartën turistike të vendit dhe mjaft e parapëlqyer nga turistët e huaj. Është kjo arsyeja që ka nxitur banorët të rrisin investimet për ngritjen e bujtinave, numri i të cilave sa vjen e rritet, ndërsa vetëm prej një personi, pronar bujtine numri i shtretërve ka arritur deri në 36. Ndërsa numri i bujtinave të deritanishme arrin në 10 me rreth 110 shtretër.

Gjatë këtij viti pritet që Valbonën ta vizitojnë mbi 35 mijë turistë të huaj, nga rreth 25 mijë turistë të huaj, që e vizituan vitin e kaluar.