Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 09:45

Tropojë – Grupi hetimor i komisariatit të policisë së rrethit të Tropojës ka zbardhur një ngjarje  të ndodhur një muaj më parë në  lagjen “Dardania” të qytetit të Bajram Currit, kur sipas denoncimit të kryer nga djali 16 vjeçar  i shtëpisë, është kryer vjedhja dhe plagosja e tij nga dy persona  të paidentifikuar.

Zëdhënësja e drejtorisë së policisë së qarkut  të Kukësit, Suada Sulaj, bëri të ditur se, “dje ndaj 16 vjeçarit ka nisur  çështja penale  për kallëzim të rremë  për vjedhjen  e banesës së tij dhe plagosjen nga dy persona të paidentifikuar”.

Ka qenë vetë 16 vjeçari  XH.Gj. i cili së fundmi ka deklaruar se gjithë ngjarjen e mësipërme e ka inskenuar vetë nga frika e prindërve  të tij, pasi u kishte vjedhur 110 paund, 5000 lekë e duke vetplagosur vetën për ta bërë ngjarjen sa më të besueshme.

Ngjarja e rrallë ka  ndodhur më 5 dhjetor, kur  16 vjeçari ka bërë denoncimin se në banesën e shtetasit  Gëzim Gjocaj kishin hyrë dy persona të paidentifikuar  dhe në  tentativë   për të marrë  një shumë lekësh,  janë përplasur me djalin e shtëpisë  duke e plagosur me mjete prerëse. Ndërkohë, nga këqyrja  e vendit  të  ngjarjes  rezultoi  se,  në  një  dollap në një nga mjediset e shtëpisë  kishin  qenë 220  paund  dhe 20.000  lekë. Nga “grabitësit” është arritur të merren 110  paund  dhe  5.000 lekë, ndërsa pjesa tjetër është lënë  sipër  rrobave. Për këtë ngjarje ishin shoqëruar në mjediset e komisariatit edhe 10 persona, ndërsa më pas  ka rezultuar se e gjithë ngjarja ishte e inskenuar nga vetë djali 16 vjeçar i shtëpisë.