Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot në mesditë, një takim me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth.
Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, ambasadorët vlerësuan rolin moderator, pozitiv dhe konstruktiv të Presidentit Topi si respektues i Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe si simbol i unitetit të popullit, duke shprehur mirënjohjen edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer e të frytshëm gjatë mandatit të tij presidencial.
Ata diskutuan edhe për situatën politike në vend, duke nënvizuar domosdoshmërinë e gjetjes së vullnetit të duhur dhe dialogut konstruktiv nga klasa politike për të kaluar nga fjalët në vepra për kryerjen në kohën e duhur të reformave të nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, siç janë reforma zgjedhore, gjyqësore dhe ajo parlamentare si dhe heqja e imuniteteve.
Në këtë drejtim, Presidenti Topi, duke ndarë të njëjtat pikëpamje me tre ambasadorët, theksoi se realizimi me sukses i këtyre reformave “do të ishte jetik dhe tepër i rëndësishëm për demokracinë shqiptare dhe garantimin e votës së lirë të qytetarëve, për ndarjen dhe ekuilibrimin e pushteteve, për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese si dhe për vetë të ardhmen integruese të Shqipërisë.”
Po sot paradite, Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi edhe një takim pune me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon, të cilit i shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e shtetit të së drejtës, demokratizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve të pavarura, të shoqërisë shqiptare si për mbështetjen e palëkundur për integrimin në strukturat euro-atlantike.
Nga ana e tij, Ambasadori britanik Nicholas Cannon vlerësoi kontributin pozitiv dhe moderator si dhe rolin e rëndësishëm të Presidentit Topi gjatë mandatit të tij presidencial në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe në mbrojtje e forcim të pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, duke i uruar njëkohësisht suksese në veprimtarinë e tij të ardhshme në të mirë të qytetarëve dhe çështjes shqiptare. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 July 2012 12:59