Zyra për Marrëdhënie me Publikun e AutostradaBiennale bën të ditur se artisti Leutrim Fishekçiu, prezantoi në Norvegji projektin e tij artistik “Transformation Of Reality To Dream – Migration” (Transformimi i realitetit në ëndërr – Migrimi).
Një dorë e zgjatur për ndihmë nga thellësia e detit, në një objekt brenda të cilit ushtojnë valët e detit, është projekti me të cilin artisti nga Kosova u prezantua të hënën në Papirbredden Dramen.
Ky projekt, që synon sensibilizimin e publikut mbi migrimin, u mirëprit nga publiku, mes të cilëve pati edhe shqiptarë nga Kosova, që ishin larguar për në Norvegji gjatë luftës.
Pas ekspozimit në këtë hapësirë provokuese, kjo vepër do të dhurohet për bamirësi.
Në kuadër të festivalit të kulturës “Evropa e zgjeruar” (Det utvidede Europa), Fishekçiu mori pjesë në “Artist talk”, ku në praninë e artistëve ndërkombëtarë foli për projektet e tij artistike.
Ky prezantim i Fishekçiut vjen pas disa projekteve të artit në Kosovë, përfshirë Autostrada Biennale (Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor), Festivali Ndërkombëtar i Skulpturës Sculp Fest, i fokusuar në tërheqjen e vëmendjes politike dhe përcjelljen e mesazhit për paqe. Muajin e kaluar Fishekçiu prezantoi në Prizren veprën “Po t’shoh”, një skulpturë provokuese e cila përmes metaforës me kamera synon vetëdijesimin lidhur me veprimet dhe sjelljet në publik.
Leutrim Fishekçiu (1987, Prizren) është autor i disa veprave artistike në hapësira publike në Prizren. Është themelues i SculpFest – Festivali Ndërkombëtar i Skulpturës dhe Autostrada Biennale – Bienalja.
Wednesday, 14 October 2015 14:58 




