Lajme Shqip Tuesday, 28 July 2015 09:16

Lëvizja Evropiane e serbëve nga Graçanica, kryetare e së cilës është Rada Trajkoviq, ka thënë sot se Kosova, bazuar në Kushtetutën e saj, nuk mund të bëhet anëtare e UNESCO-s pa përkrahjen e serbëve.

Kjo lëvizje qytetare tha se nenet 17 dhe 18 të Kushtetutës së Kosovës parashohin miratimin e traktateve dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, por neni 81 shprehimisht deklaron se ligjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, arsimit dhe gjuhëve të konsiderohen me rëndësi jetike dhe se për miratimin e tyre duhet shumica e deputetëve nga grupet e pakicave.

 “Në pajtim me këtë dispozitë, është e qartë se në aspektin e trashëgimisë kulturore, arsimit dhe gjuhës, autoritetet e Kosovës dhe deputetët shqiptarë nuk mund të nxjerrin ligje pa pjesëmarrjen dhe votat e serbëve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e kësaj lëvizjeje, raporton Koha.net.

 “Kjo do të thotë se ratifikimi eventual i marrëveshjes me UNESCO-n në Kuvendin e Kosovës pa shumicën e votave të anëtarëve të komuniteteve pakicë do të ishte një shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Kosovës”, potencohet në deklaratë.