Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 16:45

Prishtinë – Një nxënës i Gjimnazit “Sami Frashëri”, në Prishtinë, e ka humbur jetën, një tjetër është plagosur rëndë dhe një është lënduar pas një zënke që ka ndodhur rreth orës 13:00 në rrugën “Nazim Gafurri”, në afërsi të kësaj shkolle, në Prishtinë.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke i zhvilluar hetimet, përderisa ende nuk dihen motivet.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha se dyshohet se të dyja grupet e përfshira në këtë incident kanë qenë nxënës të gjimnazit.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke zhvilluar hetimet, përderisa ende nuk dihen motivet.

Deri më tash policia ka arrestuar 1 person, por dyshohet se bashkë me dorasin, të përfshirë në këtë incident kanë qenë edhe disa persona të tjerë.

Sipas burimeve, rasti ka ndodhur si pasojë e një përleshjeje midis nxënësve. Mësohet se i vrari është nxënësi i gjimnazit Muhamet Cakaj (19), ndërsa nxënësi tjetër Adnan Kadrolli (19) ka mbetur i lënduar rëndë.

Drejtori i shkollës, Osman Beka, tha se ende nuk ka informata të sakta se kush janë personat e involvuar ne rast. Ai tha se rasti ka ndodh jashtë oborrit të shkollës.

Ndërkaq zv/ministri i Arsimit, Nehat Mustafa, duke folur për masat e sigurisë nëpër shkolla, tha se Ministria e Arsimit qysh se në vitin 2008 e ka një memorandum të nënshkruar nga policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor dhe Ministria e Arsimit. Ai nuk dha detaje se si do të reagojë ministra pas kësaj tragjedie.

Këshilli i Nxënësve të Kosovës ka reaguar menjëherë, duke e dënuar ashpër rastin e humbjes së jetës së nxënësit të gjimnazit “ Sami Frashëri”, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij.

Ky këshill kërkon nga Ministria e Arsimit dhe nga institucionet tjera relevante që bashkë me Policinë e Kosovës dhe vetë shkollat, ta adresojnë këtë çështje në të gjitha nivelet dhe të marrin hapa të menjëhershëm që të parandalohet kjo dukuri e shëmtuar.