Tiranë – Presidenti Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, është nisur sot për në Republikën e Turqisë, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare treditore, me ftesë të Presidentit turk, Abullah Gyl.
Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se në delegacionin zyrtar që shoqëron kreun e shtetit, do të jenë të pranishëm dhe zv.ministri i Punëve te Jashtme, Selim Belortaja dhe Kryetari i Dhomës se Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, Topi do të pritet me nderime shtetërore dhe do të zhvillojë bisedime me drejtuesit më të lartë të shtetit turk, Presidentin e vendit, Abdullah Gyl, me të cilin do të mbajë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp, Kryeministrin Rexhep Tajip Erdoan, Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek.
Axhenda e Presidentit Topi parashikon gjithashtu dhe pjesëmarrjen e tij në Mbledhjen e Këshillit të Biznesit turko-shqiptar, ku Kryetari i Shtetit Shqiptar pritet të mbajë fjalën përshëndetëse.
Në përmbyllje të vizitës, Presidenti Topi do të zhvillojë një takim dhe me përfaqësues të bashkësisë shqiptare në Turqi.
Sunday, 09 October 2011 10:56