Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam me të cilën zhvilloi një takim pune mbi situatën aktuale politike dhe institucionale në Shqipëri.

Edhe në këtë takim pune, bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët për domosdoshmërinë dhe nevojën e bashkimit të vullneteve politike në vend për gjetjen rrugëve efikase për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Klasa politike shqiptare mbart një përgjegjësi të veçantë për imazhin e vendit përballë partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë për mënyrën e administrimit të pushtetit dhe të vullnetit të qytetarëve shqiptarë”, – vuri në dukje Kryetari i Shtetit, ndërsa nënvizoi se “shqiptarët me shumë sakrifica kanë kontribuar për imazhin e tyre si njerëz me kurajë, mbështetës dhe aspirues të vlerave demokratike dhe evropiane, ndaj është në detyrimin e përfaqësuesve të popullit, institucioneve shqiptare që t’u përgjigjen këtyre standardeve.”
“Klasa politike shqiptare duhet t’i lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe dhe debatet shterpë dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, si dhe integrimin dinjitoz e sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane”, – theksoi Presidenti i Republikës.
Nga ana e saj, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam, theksoi nevojën për një agjendë kombëtare reformash strategjike të arritur me vullnet të qartë dhe konsensus politik, e cila do të mundësojë integrimin e vendit tonë në gjirin e Bashkimit Evropian.
Monday, 03 October 2011 12:50