Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 10:04

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjarëve të rreshterit Agim Mekollari, i cili humbi jetën aksidentalisht dje në mesditë, gjatë kryerjes së operacionit të asgjësimit të municioneve me plasje, në Poligonin e Bigazit në Skrapar.

“Rënia në krye të detyrës e ushtarakut të devotshëm Agim Mekollari është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, miqtë e kolegët, për shtetin dhe për të gjithë shtetasit shqiptarë. Vepra heroike e Agim Mekollarit është tregues i sakrificës sublime, që me punën e misionin e përditshëm e të vështirë, dha dhe jetën në mbrojtje të vendit e sigurisë së të gjithëve”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Kreut të shtetit.

“Me cilësinë e Presidentit të Republikës dhe të Komandantit të Forcave të Armatosura, por edhe si qytetar, mbështes stukturat shtetërore e ushtarake që të nisin menjëherë hetimin e plotë të ngjarjes dhe të gjejnë sa më shpejt shkaqet që çuan në humbjen e jetës së një nënoficeri të përkushtuar dhe plagosjen e tre punonjësve të tjerë të ushtrisë shqiptare”, përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës.