Lajme Shqip Monday, 26 December 2011 13:42

Tiranë- Presidenti Bamir Topi, gjatë vizitës së tij që ka zhvilluar në Durrës dhe Kavajë, iu është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Berisha një ditë më parë, i cili tha se Topi po cënon presidencën me ambiciet e tij politike.

Sipas presidentit, akuzat e Berishës ishin të papërshtatshme, duke parë që dje ishte dhe Krishtlindja.

“Deklaratat e politikanëve duhet të jenë në kohezion me çfarë urojnë në mëngjesin e festës së Krishtlindjes, pra dialog dhe komunikim. Pavarësisht nga sa thuhet, unë jam në detyrën time kushtetuese dhe nuk jam apendiks i askujt”, ka thënë presidenti.

I pyetur për rikandidimin e tij në krye të Presidencës, Topi është përgjigjur se, “Nëse presidenti do të zgjidhej nga populli, do të sfidoja këdo”, duke konfirmuar kështu se nuk do të rikandidojë sërish.