Lajme Shqip Wednesday, 12 October 2011 09:35

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një konferencë për shtyp në Turqi, pas  mbledhjes së Këshillit të Biznesit Turko-Shqiptar, tha se situata në Kosovë është e pakthyeshme përsa i përket pavarësisë dhe funksionimit si një shtet sovran dhe i pavarur. Kjo, vuri në dukje ai, “është demonstruar edhe nga shtetet më të fuqishme të planetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica dërrmuese e shteteve të Bashkimit Europian, nga Turqia”.

Ai bëri të ditur se e ka trajtuar këtë problem edhe gjatë takimit me Presidentin Gyl, “ku kam gjetur një vullnet solid të autoriteteve të Turqisë për të mbështetur njohjet e reja të Kosovës. Vetë Presidenti Gyl më informoi që ka pasur një bisedë edhe me Presidenten e Brazilit, ku ka hapur temën e Kosovës, duke i kërkuar që të vazhdojë njohja e shtetit të Kosovës. Deri tani, Kosova është njohur nga 84 vende dhe perspektiva është optimiste për rritjen e numrit të njohjeve”.

Përsa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi, Presidenti Topi tha se Shqipëria ka mbështetur bisedimet dhe i ka inkurajuar këto bisedime. “Natyrisht, këto bisedime, sikurse janë shprehur edhe institucionet e Kosovës, do të realizohen për të gjitha çështjet me interes reciprok të karakterit teknik, por nisur nga pozicione të sovranitetit, që do të thotë që Kosova dhe Serbia bisedojnë si dy vende sovrane e të pavarura”.

Në përgjigje të pyetjes për një bashkim të mundshëm të Kosovës me Shqipërinë, Presidenti Topi tha se “Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete, të cilat kanë një aspiratë. Edhe Shqipëria edhe Kosova dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në kuptimin simbolik bashkimi, ndodh në Bruksel, siç do të ndodhë për të gjitha vendet e tjera”.