Tiranë – Presidenti i Republikës iu bëri thirrje nga Vlora institucioneve gjyqësore që në vendimet e tyre të bazohen vetëm tek ligji. Duke e lidhur deklaratën e tij edhe me kontesktin kohor kur pritet dhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e zgjedhjeve lokale për Tiranën, kreu i shtetit shqiptar, u shpreh se “ligjet janë prodhuar, por problemi është tek zbatimi i ligjeve dhe secili institucion, çdo individ që është një pozicion të caktuar, çdo individ që ka në dorë një proces të caktuar dhe kuptohet që këto procese që ne po kalojmë janë shumë të rëndësishme, sepse japin një notë për demokracinë, japin një notë për stadin aktual ku ne zhvillojmë të gjithë dialogun politik, por edhe institucional dhe patjetër çdo njeri duhet të kuptojë që është ligji dhe vetëm ligji. E kemi thënë vazhdimisht. Duket sikur po e përsërisim. Në rast se gjithsekush është në rregull me zbatimin e ligjit ju siguroj që Evropa dhe vendet e Evropës patjetër që do të dinë të vlerësojnë”.
Presidenti Topi tha se “jemi në pritje pikërisht të këtij momenti ku institucionet e ligjit duhet të thonë fjalën e tyre. Pra, nuk jemi në atë situatë kur një institucion i konsideruar epror do të gjykojë dhe do të flasë në emër të tyre. Jo, ata duhet të flasin dhe duhet të flasin duke pasur në konsideratë statusin e tyre. Statusi i tyre është shumë i rëndësishëm, është status ligjor, por është edhe status moral, sepse duhet të ketë një kompatibilitet midis integritetit moral, profesional dhe ligjor. Të gjitha këto japin standardin e arrirë”.
Presidenti i Republikës, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura shqiptare, i bëri këto deklarata ndërsa mori pjesë në Manovrën Ushtarake Detare, që po zhvillohet në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe më saktësisht, në gjirin e Vlorës. Në këtë stërvitje ushtarake detare, me emrin e koduar “Luani i Albionit” ku janë të përfshira anije britanike dhe holandeze, Presidenti Topi u shoqërua nga Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekuilam, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës Kornelis Van den Dol, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Admirali i Forcave Detare Kudret Çela, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, deputeti dhe anëtari i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes, Ilir Gjoni, atasheu ushtarak britanik, Koloneli Bob Barns, si dhe nga anëtarë të Kabinetit të Presidentit.
Monday, 30 May 2011 21:03