Lajme Shqip Tuesday, 04 October 2011 19:57

Tiranë – Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të është një moment i rëndësishëm i demokracisë shqiptare”, deklaroi sot Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë pritjes së bërë nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, me rastin e 20-vjetorit të rihapjes së kësaj përfaqësie diplomatike në vendin tonë.

Sipas Kreut të Shtetit, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve u paralajmërua në pranverën e  vitit 1991, që ishte edhe pranvera e demokracisë shqiptare.

“Tetori i vitit 1991 shënoi rivendosjen e marrëdhënieve historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, marrëdhënie të cilat kishin shënuar kulmin e tyre në fillim të shekullit XX në prag të pavarësisë së Shqipërisë, pastaj me rilindjen e demokracisë në Shqipëri dhe më vonë u pasuan me pavarësinë e Kosovës dhe me hyrjen e Shqipërisë si anëtarja më e re e Aleancës më të madhe për paqen dhe sigurinë në botë”, tha ai.

Presidenti tha se “të gjitha forcat politike, personazhet publike dhe të gjithë shqiptarët si askush në botë, kanë një admirim të jashtëzakonshëm për SHBA-të”. “Këtë e shprehin ata që janë në politikë, por edhe ata që nuk kanë lidhje me politikën”, tha Topi.

Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-së për vendin tonë, Topi tha se “ne i jemi shumë mirënjohës SHBA-ve që janë miku më i madh i shqiptarëve”. “Ju detyrohemi për gjithçka kemi realizuar në këto 20 vite por edhe më tej, për mbështetjen në rezistencën e kombit shqiptar, për rikthimin e të drejtës së Kosovës për të qenë një vend i pavarur, mbështetjen për anëtarësimin në NATO dhe mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA dhe vendet e Europës për të qenë vend i BE-së”, tha Topi.

“Është një nder i madh për ne që të jemi bashkudhëtarë besnikë me ju kudo, në çdo mision, aty ku ka nevojë të rivendoset paqja dhe siguria në botë. Ne jemi aleatë modestë, por jemi aleatë të sigurtë”, tha më tej ai.

Në përfundim, Kreu i Shtetit gjeti rastin që nga kjo ceremoni ti dërgojë përshëndetjet më të mira Presidentit Obama, dhe të ripërsërisë ftesën që ai të vizitojë vendin tonë.