Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shpreh të enjten se shoqëria shqiptare ka nevojë për një vizion të ri politik.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës së Politikës, Presidenti Topi u kërkoi politikanëve të rinj që të jenë vetvetja dhe jo një produkt i klonuar, pasi, sipas tij, të jesh politikan duhet të operosh me rregullat që ka një shoqëri demokratike, ku e para është komunikimi.
“Shoqëria shqiptare më shumë se kurrë ka nevojë për një vizion të ri politik dhe këtu nuk ka nevojë për asnjë lloj aludimi, por vizioni i ri politik jepet si leksion në vendet europiane dhe nga SHBA, që janë vende me një demokraci të zhvilluar”, theksoi ai.
Duke iu referuar progres raportit të KE-së, ku Shqipëria nuk arriti edhe këtë vit të marrë statusin e vendit kandidat në BE, Presidenti nënvizoi se ishte pikërisht kriteri politik ai që e penalizoi vendin tonë.
Në fjalën e tij Kreu i Shtetit u kërkoi politikanëve të rinj të konkludojnë secili në pozicionet e tij, pasi karriera politike nuk vjen në mënyrë revolucionare.
“Sinkronizimi i vlerave bën që politika të jetë më cilësore, më përfaqësuese, të jetë një politikë konstruktive dhe në shërbim të njerëzve që i kanë besuar atë pozicion të lartë”, vuri në dukje Presidenti i Republikës.
Thursday, 20 October 2011 11:46