Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 16:49

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Kryetarin e Unionit Ndërkombëtar të Noterëve, Zhan Pol Dëkorp, dhe përfaqësues të tjerë të këtij organizmi nga Italia, Franca dhe Spanja, të shoqëruar nga Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushaj.

Kryetari i Unionit Ndërkombëtar të Noterëve, Zhan Pol Dëkorp, vuri në dukje rëndësinë e ofrimit të sigurisë juridike në ushtrimin e aktivitetit noterial dhe të garantimit të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimit ndaj komunitetit, në harmonizimin e interesave të tij dhe gjithnjë në zbatim të ligjit.

Ndërsa Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushaj, foli për nismën më të re të organizimit për herë të parë në vendin tonë të Kongresit të Noterisë Shqiptare, i cili do të ketë në qendër të trajtimit të tij “besimin dhe sigurinë te noterët, si garanci juridike për zhvillimin social-ekonomik dhe integrimin evropian të vendit.

Presidenti Topi vlerësoi si “jetik rolin e institucionit të noterëve në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe çuarjen përpara të reformës në drejtësi si dhe të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të vendeve evropiane, në mënyrë që plotësohen edhe kushtet për hyrjen sa më të shpejtë të Shqipërisë në gjirin e familjes evropiane”. (LajmeShqip.com)